Projekti “Fuqizimi i Zërave të Pakicave Kombëtare” synon promovimin e bashkëjetesës shoqërore, respektimit të diversitetit dhe forcimin e rolit të pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë.
Në përputhje me dispozitat e Ligjit nr. 96/2017 “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”, si dhe akteve nënligjore të miratuara në zbatim të tij, projekti ka për qëllim informimin dhe ndërgjegjësimin e komuniteteve të pakicave kombëtare mbi të drejtat dhe liritë e garantuara nga legjislacioni shqiptar dhe instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Në kuadër të këtij projekti janë hartuar dhe printuar materiale informuese dhe fletëpalosje sensibilizuese, të cilat trajtojnë të drejtat e pakicave kombëtare për pjesëmarrje në jetën publike, sociale, kulturore dhe institucionale, si dhe rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore dhe identitetit të tyre.
Udhërrëfyes kryesorë për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të pakicave kombëtare mbeten Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, Konventa Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, si dhe instrumente të tjera europiane dhe ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së minoriteteve.
Implementimi i aktiviteteve të projektit është parashikuar të zhvillohet në Bashkinë Himarë, Korçë, Kukës, Shijak, Bulqizë dhe Tiranë, me synimin për të krijuar një qasje më gjithëpërfshirëse dhe për të fuqizuar pjesëmarrjen aktive të komuniteteve të pakicave kombëtare në jetën shoqërore dhe publike të vendit.
Ky projekt realizohet me mbështetjen financiare të Fondacionit “Shoqëria e Hapur” në Republikën e Shqipërisë, mbështetje e cila ka bërë të mundur zhvillimin dhe zbatimin e aktiviteteve në funksion të promovimit të të drejtave të pakicave kombëtare dhe forcimit të dialogut shoqëror.